Rikthehet bora në male/ARRSH: 2 pika më problematike, Qafë Thore dhe Qafë Predeleci
Në orët e vona të mbrëmjes gjatë së enjtes në zonat malore janë rikthyer reshjet e dëborës. Firmat e kontraktuara kanë ndërhyrë menjëherë jo vetëm për pastrimin e dëborës nga rruga por edhe kriposjen e tyre. Sipas specialistëve të autoritetit verior të rrugëve, puna është përqendruar në Qafë Thorë si dhe në Qafë të Predelecit. Të dyja këto pika janë të një rëndësie të veçantë për shkak të lidhjes që bëjnë me dy zona turistike, e para me Thethin ndërsa e dyta me Lepushën dhe Vermoshin. Dëbora në disa vende kalon mbi një gjysëm metër. Zona e Vermoshit është shoqëruar edhe me ndërprerje të energjisë elektrike gjatë natës. Ndërsa rrugët janë të qarkullueshme. Pritet që në fundjavë të ketë qarkullim të shtuar për shkak edhe të frekuentimit të Thethit dhe zonave të Kelmendit. Ndaj autoriteti verior i rrugëve apelon ndaj drejtuesve të mjeteve që të bëjnë kujdes, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën rrugore si dhe të pajisen me goma dimërore apo zinxhirë. Pas përfundimit të pastrimit të borës në këto akse, puna do të vijojë për krijimin e xhepave në mënyrë që të mos ketë bllokime apo vështirësi në ndërrimin e automjeteve. Mjetet e pastrimit dhe punonjësit do vijojnë të jenë në terren pasi e shtuna pritet të sjellë ulje të temperaturave, shoqëruar me ngrica. Ndaj firmat që mirëmbajnë këto akse do vijojnë me kriposjen e rrugëve me qëllim parandalimin e çdo problematike.