Rindërtohet Spitali i Mirditës, Rama: Shërbime shëndetësore për rreth 50 mijë banorë
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga përfundimi i punimeve të Spitalit të Mirditës.
Rama shprehet se “Spitali i rilindur i Mirditës është një tjetër investim me rëndësi në shëndetësi, i cili do të ofrojë shërbim shëndetësor për rreth 50 mijë banorë”.
Spitali i Mirditës u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019 dhe në shtator të vitit 2022 iu nënshtrua rikonstruksionit, në kuadër të Programit të Rindërtimit.
Në këtë spital, ku ofrojnë shërbim 10 mjekë dhe 52 infermierë, kryhen rreth 60 konsulta ditore në shërbimet e Urgjencës dhe në poliklinikën e specialiteteve rreth 35 konsulta ditore.
Spitali Bashkiak Mirditë ofron shërbimet patologji e përgjithshme, kirurgji të përgjithshme, reanimacion, pediatri, maternitet, poliklinika, urgjenca, laboratori klinik-biokimik, shërbimi i imazherisë dhe farmaci.