Rinis superiorja, java e 3-të luhet në tre ditë/ Vllaznia pret në “Loro Boriçi” Partizanin, të enjten, ora 18:00
Pas emocioneve që na dhuroi kombëtarja kuqezi, tashmë emocionet zhvendosen në kampionatin e kategorisë Superiore, me ndeshjet e javës së tretë. Një javë kjo, që do të luhet në tre ditë, nga e mërkura në të premte. Dy ndeshjet e para do të jenë, Egnatia-Erzeni dhe Dinamo-Kukësi, e para në orën 16:00 dhe e dyta në orën 19:00. E enjtja ka në program dy ndeshje. Fillimisht në kryeqytet përballen Tirana me Skënderbeun, ekipi surprizë që kryeson kampionatin me pikë të plota. Po të enjten, por në orën 18:00 është planifikuar të luhet ndeshja Vllaznia-Partizani, e cila konsiderohet si dueli më i rëndësishëm i javës së tretë. Java e tretë e kategorisë Superiore mbyllet të premten me takimin e fundit, atë Laçi-Teuta, i planifikuar të nisë në orën 16:00. Sa i takon Vllaznisë, përgatitjet për sfidën me Partizanin kanë vijuar edhe ditën e dielë, dhe do të vazhdojnë deri të mërkurën. Sfida me Partizanin konsiderohet mjaft e rëndësishme, kjo për faktin se pas dy ndeshjeve të para me skuadra modeste si Kukësi dhe Erzeni, përballja me të kuqtë mund të jetë testi kryesor dhe real i Vllaznisë së këtij sezoni futbollistik. Në shërbim të kësaj ndeshje ishte edhe miqësorja e luajtur të premten në Podgoricë me ekipin tuzian, Deçiç që u mbyll në barazim 1 me 1. Pozitive për kuqeblutë është gadishmëria e të gjithë futbollistëve, ku tekniku Memelli ka luksin të përzgjedhë lojtarët e duhur që kanë formën më të mirë sportive. Pjesë e këtij grupi janë edhe dyshja, Ardit Krymi dhe Marko Juriç, të cilët kanë lënë plotësisht dëmtimet e pësuara ditë më parë dhe presin verdiktin e teknikut kuqeblu. Madje, një gjë të tillë dyshja, Krymi-Juriç e kanë pritur edhe në miqësoren me Deçiçin, por Memelli nuk i dha asnjë minutë në fushën e lojës.