“Rithemelimi” bllokon mbledhjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore, Gjiknuri: Do e çojmë para edhe pa opozitën
Dështon mbledhja e Komisionit për Reformën Zgjedhore. Deputetët e “Rithemelimit” ashtu sikurse kishin vendosur në mbledhjen e grupit, kanë bllokuar punën e Komisionit të Reformës Zgjedhore, duke zënë karriget e deputetëve të mazhorancës, anëtarë të komisionit.
Ky vendim nga ana e “Rithemelimit” u bë shkak për largimin nga punimet e mbledhjes të Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së dhe bashkëkryetarit të Komisionit për Reformën Zgjedhore.
Damian Gjiknuri në një prononcim për media ka akuzuar opozitën se po kryen akte vandale ndërsa theksoi se mazhoranca do e vijojë punën për Reformën Zgjedhore, edhe nëse opozita nuk do të bëhet pjesë e saj.
“Fatkeqësisht edhe atë që pretendojnë Bylykbashin nuk e kanë zgjedhur, edhe Alibeajn nuk e kanë lejuar të vijë për shkak të akteve vandale. Opozita duhet të jetë e para që do të bëjë reformën zgjedhore, në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse siç është ky komision.
Patjetër që reforma do ecë dhe nëse opozita nuk do bëhet pjesë do gjehet një mënyrë që reforma të shtyhet përpara.
Unë kam një mandat sikurse opozita, të vijnë”, tha ai. Po ashtu, edhe socialisti Blendi Klosi është larguar nga Kryesia e Kuvendit duke deklaruar se “vendin ma ka dhënë populli shqiptar, ata kanë zënë karriget, le t’i mbajnë”.
Deputetët e opozitës, mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha kanë kërkuar largimin e Enkelejd Alibejat si bashkëkryetar të Komisionit dhe zëvendësimin e tij me Oerd Bylybashin.
Ndërkohë, në një deklaratë për mediat, Alibeaj iu përgjigj pretendimeve të tyre duke thënë se ai përfaqësonte PD-në dhe jo të gjithë opozitën.