‘Rithemelimi’, Noka: Çështje ditësh kur do të njoftojmë për bashkimin e PD-së
‘Rithemelimi’ i PD-së po shqyrton mundësinë e diversifikimit dhe përshkallëzimit të protestave në të gjithë vendin. Lajmi u bë i ditur nga sekretari i Përgjithshëm i ‘Rithemelimit’ të PD-së, Flamur Noka, në një deklaratë për media, pas mbledhjes së Kryesisë.
Sipas tij, në këtë mbledhje u rrahën mendime për të gjitha format e diversifikimit dhe përshkallëzimit, duke paralajmëruar protesta në të gjithë vendin.
“Vendimet për të përjashtuar dhe shpallur armiq deputetët e opozitës, të cilët në seancën e fundit demonstruan krejtësisht brenda rregullores, me pankarta, tregon se regjimi ka një vullnet për të asgjësuar çdo gjë, forcë dhe kundërshtar që nuk mund të hyjë në kthetrat e regjimit. Rama po hedh hapat më të rrezikshëm drejt instalimit të një neodiktature.”, deklaroi Noka.
Sipas tij, PD është e vendosur të qëndrojë përballë regjimit dhe në këtë kuadër u diskutuan format e diversifikimit dhe përshkallëzimit, duke e çuar në një nivel më të lartë mosbindjen civile.
“U diskutuan dhe format e përshkallëzimit që do të zbresim në të gjitha degët e Shqipërisë, do të ketë protesta në të gjitha rrugët”, tha Noka.
Deputeti i opozitës njoftoi edhe emërimin e 4 koordinatorëve, të cilët, sipas Nokës, do të jenë ndihmës në çështjet e organizimit të partisë. “Belind Këlliçi do të jetë drejtues politik i Tiranës. Zyra e organizimit do të forcohet me 4 koodrdinatorë. Janë ndihmës në çështjet e organizimit të partisë. Çështje ditësh kur do të merrni vesh për bashkimin e PD-së”, tha Noka.