Rithemelimi pranon votimin e amnistisë penale me 3 kushte: Të përjashtohen funksionarët e hetuar nga SPAK
Grupi i rithemelimit ka pranuar të votojë amnistinë penale në seancën e 4 prillit, duke vendosur 3 kushte. Një nga kushtet kryesore është që nga amnistia të mos përfitojnë funksionarët e lartë të hetuar dhe gjykuar nga GJKKO dhe SPAK.
Në propozimet e Rithemelimit thuhet se nga amnistia penale duhet të përfitojnë të gjithë protestuesit që janë në burg ose nën hetim për vepra penale të kryera gjatë manifestimeve të kryera deri në datën 31 Mars 2024.
Gjithashtu Rithemelimi propozon thuhet se nga amnistia duhet të përfitohet ulje dënimi me 2 vite për gratë dhe 1.5 për burrat.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar që të përjashtohen nga vuajtja e dënimit dhe ndjekja penale të gjithë personat e gjykuar apo hetuar për vepra penale të kryera gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve të kryera deri në datën 31 Mars 2024, pavarësisht datës së regjistrimit të tyre. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar përjashtimin nga amnistimi, qoftë sa i përket vuajtjes së dënimit, uljes së dënimit apo ndjekjes penale, të gjithë funksionarët e lartë të hetuar dhe/ose gjykuar nga strukturat e posaçme antikorrupsion apo që janë subjekt i deklarimit të pasurisë, si deputetë apo kryebashkiakë. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar një rritje të masës së përfitimeve nga amnistia, qoftë në drejtim të uljes së dënimit me 2 vite për gratë dhe 1.5 vite për burrat, qoftë në drejtim të datës së dënimit, fillimit të hetimeve apo kryerjes së veprës penale deri në 31 Mars 2024, nga 31 Janari 2024 qê parashikonte versioni aktual i projektligjit”, janë propozimet e Rithemelimit.