Rithemelimi proteston pa Berishën para Kryeministrisë, Noka dhe Bardhi drejtojnë tubimin
Grupi i Rithemelimit që drejtohet nga ish-kryeministri Sali Berisha ka nisur protestën përpara Kryeministrisë ku janë mbledhur demokratë të shumtë që prej orës 17:30.
Demokratët që janë rreshtuar në grupimin politik që drejton ish-kryeministri Berisha protestojnë kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke zgjedhur edhe ditën e sotme, 20 shkurtin, që përkon me rrëzimin e bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha.
Ndërkaq, vlen të përmendet fakti se kjo protestë nuk drejtohet direkt nga ish-kryeministri Berisha pasi ky i fundit ndodhet në arrest shtëpie, ndërsa mësohet se ai do të ketë një lidhje online me protestuesit ku edhe do të mbajë fjalën e tij.
Megjithatë, në krye të protestës së sotme janë Flamur Noka dhe Gazment Bardhi, ky i fundit i rikthyer te grupimi i Berishës, pasi u largua nga grupimi politik i Lulzim Bashës. Ata shoqërohen nga deputetët që i përkasin Rithemelimit të Berishës.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama nuk ndodhet në zyrën e tij dhe as në Shqipëri pasi po zhvillon një vizitë në Turqi, ku ditën e sotme është pritur nga presidenti turk Rexhep Taip Erdoan.
Nënkryetari i “Rithemelimit” hap protestën/ Boçi: Sot vijmë si një zë i vetëm kundër Ramës
Nënkryetari i “Rithemelimit” Luçiano Boçi, ka mbajtur fjalën hapëse në protestën e opozitës, duke thënë se sot janë më të bashkuar se kurrë kundër pushtetit, sic tha ai të korruptuar të Edi Ramës.
Boçi u shpreh se për të rrëzuar qeverinë dhe kryeministrin Rama nuk duhet të dorëzohen, por të vazhdojnë në betejën e tyre.
“Ajo që na ka sjellë këtu nuk është vetëm historia dhe lavdia e rrëzimit të diktaturës së Enver Hoxhës, por është e sotmja, është dëshira e qytetarit për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës. Ai që na ka thirrur në këtë protestë është ai grushti i mbledhur i intelektualit që kamxhikohet nga regjimi, është zemërimi i biznesit të madh dhe të vogël që i ngushtohet laku në fyt nga taksat. Është revolta e të rinjve, është ai fermeri që vajton produktin e vet, është ofshama e atij pensionistit që pret lëmoshën e tij, është ajo drama e qytetarit shqiptar jeta e të cilit është një udhëtim dantesk drejt ferrit. Sot ne vijmë të bashkuar si një zë i vetëm kundër pushtetit të korruptuar të Edi Ramës.
Jemi të bashkuar në një qëndresë, duhet të vazhdojmë, të mos gjunjëzohemi dhe të mos dorëzohemi. Pushteti i korruptuar i Ramës mbështetet mbi frikën dhe apatinë. Ato mposhten me guximin dhe vendosmërinë tonë.
Ai që është larguar këto godina i blindon dhe i mbyll, na takon ne ti shembim ato porta, ti hapim ato porta, sepse duke hapur ato porta i korruptuar kryeministër do gjendet pas hekurave. Vetëm kështu do bëjmë drejtësi”, tha Luçiano Boçi.