Robert Bisha sjell në Shkodër Ritual Piano Improvisation Festival me dy koncerte të jashtëzakonshme
Nis sot, në Teatrin Migjeni, edicioni i tretë i Ritual Piano Improvisation Festival.
Festivali kurohet nga pianisti dhe kompozitori Robert Bisha. Ritual Piano Improvisation Festival është festivali i vetëm pianistik i rajonit tonë i bazuar kryesisht mbi artin me të lashtë dhe njëkohësisht më modern: improvizimi.
Edicioni i tretë ka protagonistë dy pianistë krejt të ndryshëm njëri nga tjetri.
Instituti Italian i Kulturës i cili përkrah këtë aktivitet artistik, njoftoi se ka kënaqësinë të mbështesë pjesëmarrjen e pianistit Fabrizio Ottaviucci i cili do të jetë i pranishëm në këtë edicion të tretë.
Fabrizio Ottaviucci është pianist i muzikës bashkëkohore dhe improvizues. Kërkues i traditave më mistike muzikore të lashta. Një nga interpretuesit më të rëndësishem të muzikës bashkëkohore të ‘900-ës.
Ai ka publikuar albume të ndryshme dhe gjithashtu me ECM label.
Ottaviucci përveç improvizimit të tij do të dhurojë muzikë nga John Cage, Giacinto Scelsi, Alvin Curran e Terry Riley.
Pianisti tjetër është Florian Weber, pianist jazz dhe improvizues i lirë, me origjinë gjermane.
Pra do të jenë dy koncerte të ndryshëm njëri nga tjetri. Me dinamika të pazakonta në vëndin tonë dhe që shkaktojnë ndjesi shpirtërore, mendime muzikore te tjera dhe të dobishme për literaturën e dëgjuesit.