“Rozafa”, destinacion gjithëvjetor/Në raport me një vit më parë numri i vizitorëve në këtë sit është dyfishuar
Shifrat e publikuara së fundmi rreth kalasë “Rozafa” dhe vizitorëve të saj përgjatë muajit tetor flasin për një rritje prej 3896 turistësh më shumë teksa vetëm gjatë tetorit të këtij viti ajo u vizitua nga 11679 vizitorë. Referuar trendit në rritje edhe jashtë muajve të sezonit për DRTK Shkodër këto të dhëna janë tregues i faktit se turizmi në kala është gjithëvjetor.E diela e lirë e muzeve dhe parqeve arkeologjike si dhe zhvillimi i disa evenimenteve kulturore kanë patur ndikimin e tyre sa i përket rritjes së vizitorëve vendas, atyre nga Evropa qendrore dhe ajo lindore. Dyfishimi i vizitorëve në raport me një vit më parë është shoqëruar edhe me ndërhyrje dhe përmirësime të shërbimeve në kalanë “Rozafa”.Duke nisur nga java e re, bazuar edhe në kushtet atmosferike të motit pritet që të nisin punimet për restaurimin e kalldrëmit në kalanë “Rozafa”.