Rrezik epidemie në Malësi të Madhe/ Dhjetëra ton mbetje dhe pula të ngordhura në fushën e Koplikut
Situatë e rëndë mjedisore është krijuar ndër vite në daljë të qytetit të Koplikut në Malësinë e Madhe. Dhjetëra ton mbetje dhe pula të ngordhura janë depozituar në këtë zonë duke u kthyer në rrezik për shëndetin e banorëve. Të kalosh aty duhet me patjetër të jesh i pajisur me maskë për shkak të erës së rëndë që çlirojnë mbeturinat por më shumë dekompozimi i pulave të ngordhura që hidhen dhe nuk groposen.Janë vetë banorët të cilët kanë denoncuar rastin e mbetjeve dhe thasëve të hedhur me pula të ngordhura. Nisur nga kjo situatë disa mjete janë angazhuar sot nga bashkia e Malësisë së Madhe duke çliruar zonën nga mbeturinat. Nënkryetari i bashkisë Sytki Ndrecaj thotë se për momentin mbetjet po depozitohen me emergjencë, disa metra më larg zonës së banuar derisa të gjehet një zgjidhje, në mënyrë që të dërgohen në landfilld, ndërsa do të kryhet edhe procesi i groposjes së pulave. Në fushën e Koplikut stoqet me mbeturina kishin arritur në përmasat e një katastrofe mjedisore.