Rreziku nga fatkeqësitë/ Qytetarët ende nuk pranojnë të sigurojnë pronën
Vitet e fundit rreziku nga zjarret ka qënë gjithnjë e më i lartë në vendin tonë. Efektivët zjarrëfikës në Shkodër, në punën e tyre të përditshme disa herë kanë listuar disa probleme siç janë trafiku, bumet në qytet, parkingjet e gabuara, por mbi të gjitha rrugicat e ngushta që në jo pak raste e kanë bërë të pamundur kryerjen e punës me sukses. Referuar edhe ngjarjes së rëndë të një dite më parë në Tiranë ku një pallat disa katësh thuajse u shkrumbua, ekspertët e sigurimeve private janë të mendimit që sigurimi i objekteve dhe pronës duhet të jetë i detyrueshëm. Në Shkodër ende nuk janë të shumtë qytetarët të cilët zgjedhin të sigurojnë pronën, kjo edhe për shkak të vlerës monetare. Ndonëse bazuar tek dëmet që mund të shkaktohen në rast fatkeqësish vlera e sigurimi është thuajse e papërfillshme, 1 euro për metër katror. Sigurimi i objekteve varet edhe nga zona e banimit! Vitet e fundit qeveria shqiptare propozoi që të ketë një ligj të posaçëm i cili i detyron qytetarët që të sigurojnë pronën, por deri më tani ky propozim është kundërshtuar nga agjensia e mbrojtjës së konsumatorit.