Rreziqet nga rrjetet sociale, Spiropali: Duhet qasje analitike, jo emocionale
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali deklaroi sot se, debati për rreziqet e rrjeteve sociale duhet mbështetur mbi argumente dhe qaje krahasuese.
Në fjalën e saj në konferencën ndërkombëtare “Forcimi i rolit të parlamentit në vendimmarrjen e bazuar në të dhëna”, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë në kryesinë e Kuvendit, Spiropali foli për rreziqet që vijnë nga interneti dhe rrjetet sociale.
“Duke iu referuar rreziqeve që vijnë nga interneti dhe rrjetet sociale, bashkë me të mirat që sjell qasja në teknologji, rasteve të bullizimit, abuzimit, dhunës, madje dhe krimeve, na duhen të dhëna dhe argumente bindëse në ndryshimet ligjore që duhet të bëjmë apo masat që duhet të ndërmarrim dhe këtë duhet ta bëjmë bashkërisht, por kjo nuk mund të arrihet vetëm përmes një analize ku juristët, sociologët, psikologët, specialistët e teknologjive të informacionit mund dhe duhet të bashkëpunojnë për të rekomanduar ndryshimet ligjore, apo masat efektive.”
“Është hapur sot një diskutim dhe një debat publik mbi qëndrimin ndaj disa rrjeteve sociale në Shqipëri dhe menjëherë pati reagime të ndryshme, shpesh edhe ekstreme”, tha Spiropali.
Edhe në këtë çështje, nënvizoi Kryetarja e Kuvendit, “detyra jonë nuk është të veprojmë në bazë të përjetimeve emocionale të momentit apo të qasjeve politike, por të mbështetur në argumente dhe qasje krahasuese”.
Për këtë, shtoi Spiropali, “na duhet që Kuvendi për mes Institutit Parlamentar, por në fakt në të gjitha komisionet, në të gjithë qasjen e tij të ketë pikërisht këtë qasje që është sa përbashkuese, aq edhe analitike dhe nuk ndikohet nga gjendjet e momentit apo interesat politike të çastit”.