Rrëzohet kërkesa e ish-ministrit Beqja për zbutjen e masës së sigurisë
Gjykata ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja, për zbutjen e masës së sigurisë, që prej 4 korrikut po e mban në paraburgim.
Kjo ishte masa e dhënë për hetimet e nisura në lidhje me abuzimet e dyshuara me fondet e huaja, kur Beqja mbante postin e drejtuesit të agjencisë SASPAC (Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës).
Avokati mbrojtës kërkoi ndryshimin e masës me argumentin se nuk është marrë i pandehur nga SPAK-u dhe nuk ka rrezik për t’u larguar nga vendi, duke qenë se Beqaj është treguar bashkëpunues.
Ish-ministri po hetohet për veprat penale të korrupsionit, shkelje të barazisë në tendera dhe për fshehje apo mosdeklarim të pasurisë apo interesave private.
Paralelisht me këto hetime, ish-ministri Beqaj është marrë i pandehur edhe për një tjetër dosje, atë të “sterilizimit”.