Rriten pagesat në rrugë bankare
Pagesat në rrugë bankare shqiptarët ka shënuar rritje gjatë këtij viti.
Sipas informacioneve nga Banka e Shqipërisë, për 6-mujorin e parë, individët dhe bizneset kanë kryer rreth 18.7 milionë pagesa në rrugë bankare.
Kjo është një rritje 17.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Bashkë me pagesa është rritur edhe vlera totale e transaksioneve. Ajo arriti në 2.9 trilionë lekë, një rritje me 7.5% në krahasim me 6-mujorin e parë të vitit 2022.
Në numër veprimesh, peshën kryesore në veprimet bankare të shqiptarëve vazhdojnë ta zënë pagesat me karta, me rreth 61% të totalit.
Veprimet me kartë ende dominohen nga tërheqjet e parasë cash nga bankomatet, por pagesat me kartë në terminalet POS po rriten me ritme të shpejta në vitet e fundit.
Grupi i dytë më i madh brenda pagesave në rrugë bankare janë transfertat e kreditimit të nisura nga klientët. Këto përfshijnë pagesat e nisura nga klientët në degët e bankave ose nëpërmjet kanaleve bankare në distancë, kryesisht internet banking.
Risia më e rëndësishme e këtij viti është se tashmë transfertat bankare po dominohen nga veprimet në kanalet e elektronike.
Rreth 56% e numrit total të këtyre transfertave u kryen në formë jo-letër, nëpërmjet kanaleve elektronike.
Sipas vlerësimeve më të fundit të Bankës së Shqipërisë, numri i individëve në moshë madhore që zotërojnë një llogari bankare ka arritur në 66% të totalit. Kjo tregon se përdorimi i shërbimeve bankare ka shënuar një rritje të ndjeshme në vitet e fundit.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri total i llogarive bankare në fillim të këtij viti ishte rreth 3.11 milionë, me një rritje prej 2% krahasuar me një vit më parë. Gjatë vitit 2022, numri i llogarive aktive në sektorin bankar është zgjeruar me afërsisht 61 mijë të tilla. Numri i llogarive bankare është rritur në të gjitha segmentet kryesore të klientëve, te individët dhe bizneset rezidente apo jorezidente. Llogaritë e individëve rezidentë arritën në afërsisht 2.82 milionë, me një rritje vjetore prej 1.5%.
Numri i llogarive bankare në Shqipëri arriti numrin më të lartë në vitin 2016, me pothuajse 3.5 milionë. Në periudhën 2016-2020, numri i tyre pati pësuar rënie të vazhdueshme, i ndikuar ndjeshëm edhe nga konsolidimi i sektorit bankar dhe ulja e numrit të përgjithshëm të bankave.
Megjithëse numri i llogarive bankare në Shqipëri është më i lartë në krahasim me numrin e përgjithshëm të popullsisë, kjo nuk jep domosodoshmërisht një ide lidhur me depërtimin e llogarive bankare në popullsi.
Ndërsa shumë shqiptarë kanë disa llogari bankare, një pjesë e madhe e popullsisë në moshë madhore ende nuk e ka një të tillë. Për të adresuar këtë problem, Banka e Shqipërisë ka hartuar projektligjin për llogarinë bazike të pagesave, që është dërguar tashmë për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.
Projektligji parashikon se llogaria e pagesave me shërbime bazike do t’iu ofrohet konsumatorëve dhe individëve rezidentë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha bankat tregtare pa pagesë ose me tarifa të arsyeshme, me kusht që ata të mos kenë një llogari bankare ekzistuese.
Sipas projektligjit, tarifë e arsyeshme do të konsiderohet tarifa e cila nuk tejkalon 50% të nivelit mesatar të tarifës së aplikuar nga subjekti, për të njëjtat shërbime të ofruara nëpërmjet një llogarie të zakonshme pagesash.
Megjithatë, bankat do të jenë të detyruara t’i ofrojnë shërbimet e pagesave me tarifë zero, për kategoritë që i përkasin grupit të konsumatorëve të cilët përfitojnë nga të drejtat e parashikuara në legjislacionin që rregullon asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë.
Këtu përfshihen përfituesit e pagesës së papunësisë, përfituesit e skemës së ndihmës ekonomike, përfituesit e pagesës për paaftësi ose për aftësinë e kufizuar, përfituesit e pensioneve urbane dhe rurale në skemën e sigurimeve shoqërore, përfituesit e ndihmës ekonomike për arsimin e lartë, por edhe për kategori të tjera të përcaktuara me vendime të posaçme nga Banka e Shqipërisë.
( Marrë nga Monitor )