Rritja e çmimeve/ Berisha: Zgjidhje, vendosja e minimumit jetik prej 200 eurosh për person
Ish-kryeministri Sali Berisha në një komunikim për media është ndalur te rritja e çmimeve dhe mospërmbushja e detyrimeve të qeverisë ndaj pensionistëve.
Në lidhje me këtë të fundit, Berisha u shpreh se qeveria po përgatitet të çojë në Parlament për votim indeksimin e pensioneve.
“Vendimi i qeverisë për të sjellë ligjin në parlament për indeksimin e pensioneve në masën 8 përqind është absolutisht një hipokrizi në sensin që nuk indekson as inflacionin. Kjo përqindje është 3 përqind më e ulët sesa vlera zyrtare e inflacionit dhe 5.5 përqind e ulët sesa vlera reale e inflacionit”, tha Berisha.
Ky i fundit kërkoi vendosjen e minimumit jetik në Shqipëri në masën e 200 eurove për person.
Ndërkaq, ish-kryeministri komentoi dhe udhëtimin e Kryeministrit dhe Presidentit në OKB, për të cilët tha se janë një prej më të kushtueshmëve të një përfaqësuesi shteti.
“Mos harroni se udhëtimi për në OKB i Edi Ramës dhe presidentit të vendit, do të jetë njëri nga udhëtimet më të kushtueshme të përfaqësuesve të një shteti. 35 vetë ndodhen në delegacionet e tyre në Nju Jork.
Një numër i tillë i madh është më i pazakonti dhe do të thotë, po të keni parasysh se Edi Rama refuzoi të pranojë në Ismailin e tij, delegacionin e kryetarit të shtetit, do të thotë një shpenzim gjer në gjysmë milionë euro nga buxheti i qytetarëve”, u shpreh ai.