Rrjetet sociale dhe të rinjtë – Ekspertja Topalli: Duhet më shumë edukim dhe ndërgjegjësim

Pavarësisht mbylljes së aplikacionit TikTok në Shqipëri, të rinjtë vazhdojnë të gjejnë mënyra për të hyrë në këtë rrjet social.
Lidhja e tyre me rrjetet sociale mbetet e fortë, ndërsa ndikimi që ato kanë është gjithnjë e më i dukshëm.
Ekspertja dhe mentorja, Irena Topalli, shprehet se rrjetet sociale kanë ndikuar negativisht tek të rinjtë, sidomos në aspektin e motivimit dhe angazhimit në jetën reale. Sipas saj, të rinjtë po humbasin gjithnjë e më shumë interesin për aktivitete produktive dhe jo vetëm.
Një tjetër shqetësim që sjell Topalli është përhapja e dezinformimit nëpërmjet këtyre platformave.
Ajo thekson se të rinjtë, pa një filtër të qartë të informacionit, janë lehtësisht të manipulueshëm.
Ndërkohë që teknologjia vazhdon të përparojë, mbetet sfidë për shoqërinë dhe institucionet që të ndërtojnë mekanizma të fortë në funksion të zhvillimit dhe edukimit të të rinjve.