Rrjeti “Barazi në Vendimmarrje”: Dënojmë gjuhën e dhunës me bazë gjinore në Kuvend
Rrjeti i organizatave Barazi në Vendimmarrje ka reaguar në mbrojtje të deputetes së Partisë Demokratike, Ina Zhupa, duke dënuar gjuhën e dhunës me bazë gjinore në Kuvend.
Përmes një reagimi për shtyp, organizatat shprehen se gjuha e dhunës mbi bazë gjinore dekurajon gratë të merren me politikë.
“Dënojmë me vendosmëri çdo formë dhune, qoftë ajo verbale, psikologjike apo fizike, duke theksuar se dhuna minon vlerat demokratike dhe pengon përparimin e shoqërisë sonë”, thuhet në deklaratë.
Në kushtet e tensioneve të shtuara politike, Task Forca Kundër Dhunës ndaj Grave në Politikë u bën thirrje deputetëve dhe institucioneve më të larta që të zgjedhin komunikimin dhe dialogun si mënyrën kryesore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Reagimi i Rrjetit të Organizatave Barazi në Vendimmarrje vjen pas përplasjeve verbale në Kuvend mes deputetit të PS-së, Erion Braçe dhe deputetes së PD-së Ina Zhupa.