Rruga e Dukagjinit,vijojnë punimet /Pritet shpërthimi i telekomanduar i masivit të malit
Rruga e Dukagjinit vijon ndërtimin e saj pavarësisht rrezikshmërisë që krijon për shkak edhe motit të keq me rënien e masivëve të gurëve dhe dherave në këtë segment rrugor.
Në kantierin e ndërtimit po punohet nga kilometri zero deri në pikën 2.7 km, aty ku pritet ardhja e ekspertëve të xhenios për minosjen e masivit të malit, çka sjell më pas zhbllokimin e plotë të segmentit.
Fatbardh Halili, teknik i firmës që po kryen punimet në këtë segment rrugor tregon edhe për ecurinë e punës.
Për banorët, ndërtimi i kësaj rruge është një ëndërr që po kthehet në realitet, por ato pranojnë edhe vështirësitë që ka ky segment rrugor ku kanë humbur shumë jetë njërëzish
Aksi rrugor Prekal – Lotaj, është segmenti i parë i rrugës ku kanë nisur punimet për ndërtimin e rrugës së Dukagjinit.
Pas pezullimit disa ditor të punës pas aksidentit tragjik, firma kontraktuese po vijon punën dhe pritet që gjatë së mërkurës të kryhet edhe shpërthimi i telekomanduar për të shëmbur pjesën e masivit të malit , çka do të zgjidhë pikën në të cilën përbën rrezikshmëri për jetën e banorëve, por edhe punonjësve të firmës që po bëjnë ndërtimin e këtij segmentit rrugor.
Kjo rrugë konsiderohet si një nga ndërhyrjet më të rëndësishme në infrastrukturë , jo vetëm për zonën e Dukagjinit ,por për të gjithë bashkinë Shkodër.