Rruga Rrenc-Bardhanjor/ Administratori Haxhija: Kompetencë e Qarkut, e lënë për mungesë fondesh
Një pjesë e rrugës që lidh dy njësi administrative në Bashkinë e Shkodrës vazhdon që të amortizohet çdo ditë, ndërsa pritej të niste shumë shpejt. Bëhet fjalë për rrugën Rrenc-Bardhanor që lidh njësitë Gur i Zi dhe Rrethina, ku nga 4 km është realizuar vetëm gjysma e punimeve. Administratori i Gurit të Zi Ismet Haxhija thotë se ky është një projekt i Qarkut Shkodër, i cili duket se është ndërprerë për mungesë të fondeve. Megjithatë për administratorin kjo rrugë nuk ka shumë domosdoshmëri, pasi Guri i Zi thotë Haxhija ka një sërë rrugësh më të rëndësishme. Për banorët lidhja e dy fshatrave Bardhanjor-Rrenc është e hershme dhe ka një rëndësi të madhe për tu asfaltuar, pasi e kanë të vështirë të dërgojnë fëmijët në shkolla dhe kopshte.Në këto 2 km të mbetur përgjysëm në rrugë janë krijuar gropa të mëdha dhe lëvizja e mjeteve është shumë e vështirë.Një situatë kjo e përsëritur vit pas viti dhe që nuk po gjen zgjidhje. Situata rëndohet më shumë në stinën e dimrit kur rruga mbushet me ujë dhe bëhet thuajse e pakalueshme.