Rruga Shirokë-Zogaj, punimet po ecin me ritme të shpejta, hapen 3 km rrugë

Projekti për ndërtimin e rrugës Shirokë – Zogaj, kufi – Mali i Zi, po ecën me ritme të shpejta.
Sipas teknikut të punimeve, puna për hapjen e rrugës po avancon me ritme të kënaqshm.
Deri tani janë hapur 3 km rrugë nga posta kufitare Zogaj , në drejtim të Shirokës.
Mësohet se në disa segmente punimet nuk kanë shkuar siç duhet për arsye të mos dakordësisë më shpronësimet nga pronarët e truallit, megjithatë siç mësohet nga inxhinierët e punimeve, ky ngërç do të zgjidhet sa më shpejt. Sipas projektit, rruga e re do të ketë një gjerësi prej 6 metrash, me korsi biçikletash, ndriçim dhe aksese për zonat e plazhit.
Ajo do të shmangë qendrën e Zogajve, duke mos prishur shtëpi apo objekte të tjera shërbimi.
Projekti, i financuar nga BERZH dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, pritet të përfundojë në fund të vitit 2025 dhe ka një vlerë prej rreth 5.7 milion eurosh, duke përfshirë TVSH-në.
Në fillim të javës që vjen pritet që në Shkodër të jetë kryeministri i vendit Edi Rama, i cili do të kryejë inspektimin e punimeve në rrugën Shirokë-Zogaj.
Më herët kryeministri Rama pritet të prezantojë projektin për hyrjen e Shkodrës si dhe punimet e nisura në rrugën e Komanit.