Rrugë të amortizuara në mes të mbeturinave/ Projekti për rehabilitimin e lagjes “Dobraç i Ri” ka mbetur në kuadrin e premtimeve
Kjo është gjendja që krijohet në rrugët e lagjes “Dobraç i Ri” zonë periferike e Shkodrës sa herë që bie shi. Askush nuk ka ndërhyrë ta riparojë këtë segment. Në fakt kërkesat e banorëve gjatë gjithë këtyre viteve për rikonstruksionin e këtij aksi kanë qenë të shumta. Sapo afrohesh në këtë lagje vë re që rruga është e amortizuar, kanalet e ujërave të zeza janë të hapura, ndërsa ka prani të shumta edhe të mbeturinave për të cilat nuk është marrë asnjë masë.Sipas banorëve mbeturinat kanë dy javë pa u pastruar, ndërsa rruga thonë se ka mbi 10 vite në këtë gjendje. Në të gjithë gjatësinë e rrugëve janë totalisht me gropa, që në këtë ditë me shi janë mbushur gjithë ujë.Të zhytura mes baltës, gropave me ujë ato janë kthyer në makthin e banorëve të zonës.Ndonëse një aks më fluks të lartë lëvizjesh deri tani nuk ka patur vëmendjen e duhur për t’iu nënshtruar rikonstruksionit ashtu si shumë rrugë të tjera në qytetin e Shkodrës. Megjithëse është premtuar se rruga do të rikonstruktohet por asgjë nuk është bërë dhe gjithçka ka mbetur në kuadrin e premtimeve.