“Rrugë të sigurta-Turizëm i sigurt”, Kumbaro: Sfida jonë, përballimi i standardeve të sigurisë
Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro në fjalën e saj në konferencën “Rrugë të sigurta-Turizëm i sigurt” ka deklaruar se sfidë e qeverisë është përballimi dhe ruajtja e standardeve të sigurisë. Duke u ndalur te turizmi, ministrja bëri me dije se vetëm në 4 muajt e parë të 2024-ës ka një rritje me 40% nga e njëjta periudhë e një viti më parë për numrin e vizitorëve të huaj në Shqipëri.
“Gjithë tur-operatorët njoftojnë që kanë të mbyllur kontratat rreth 45% më shumë se e njëjta periudhë me vitin e kaluar.
Katër muajt e parë të vitit janar-prill u mbyll me 40% më shumë hyrje nga vizitorë të huaj.
Janë këto shifra që na bëjnë të mendojmë se do përballemi me 14-15 milionë turistë.
Sfida jonë do jetë si të përballojmë dhe si të ruajmë standardin e sigurisë”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja deklaroi më tej se hapja e segmenteve të reja rrugore, krijon mundësi për rritje të numrit të vizitorëve.
“Është gëzim i madh hapja e segmenteve të reja. Koncepti i destinacioneve të menaxhuara krijohet falë infrastrukturës. Edhe më shumë do të bëhet kjo me akset e reja.
Palasë-Dhërmi krijoi një fluks të ri, rrugët e reja të Orikum-Dukat janë gëzim për turistët dhe përgjegjësi për ne.
Paketa e rrugëve që bëhet dhe hapet krijon destinacione të reja”, tha ajo.