Rrugët me ujë, shiu krijoi probleme në periferi të Shkodrës
![ruget me uje](https://i0.wp.com/www.rtsh-shkodra.live/wp-content/uploads/2024/03/ruget-me-uje.jpg?fit=1024%2C597&ssl=1)
Reshjet intensive të rëna gjatë 24 orëve të fundit sollën problematika në disa prej rrugëve në lagjet periferike.Të gjitha rrugët e paasfaltuara në lagjen “Mark Lula”, u bënë thuajse të pakalueshme.
Uji vështirësoi lëvizjen e banorëve sidomos për nxënësit e shkollave.Kalimi nëpër këtë rrugë bëhet shpesh i pamundur. Kjo ndodh jo vetëm në ditë me shi, por edhe disa ditë pasi shiu të ketë pushuar. Gropat e mbushura me ujë janë pengesa kryesore, pasi asnjëherë nuk mund ta mendosh sa e thellë do të jetë. Ata që e përshkojnë çdo ditë këtë rrugë e dinë mirë këtë fakt.
Pothujase e njëjta gjendje është edhe në një prej rrugëve në lagjen “Mahalla e Re”, rrugë kjo e cila lidhet me zonën e Dobraçit dhe atë të Golemit.Prej më shumë se 20 vitesh nuk është vënë dorë në rrugët dhe kanalizimet e kësaj lagjeje dhe mjafton pak shi që të bëhen të pakalueshme.
Sërish banorët vijojnë mes problemesh të shkojnë në shkollë e në punë, tashmë pa shpresë se një ditë dikush do të kujtohet për ta.