“Rrugorja” me “dorë të hekurt” ndaj shoferëve/ Policia e Shkodrës në dy javë ndëshkon 994 drejtues mjetesh
Policia Rrugore e Shkodrës ka shtuar kontrollet, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore me pasoja për jetën e përdoruesve të rrugës, për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe për të lehtësuar qarkullimin gjatë fashave të orareve me fluks të shtuar, për shkak të fillimit të vitit shkollor. Shërbimet e Policisë po monitorojnë pandërprerë akset rrugore, me pajisje të logjistikës bashkëkohore, me qëllim evidentimin e shkeljeve që janë burim aksidenti.Gjatë 2 javëve të fundit,mësohet se janë proçeduar penalisht 27 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, për drejtim të mjetit, në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, si rezultat i monitorimit të akseve rrugore të qarkut, me shërbime të shtuara dhe me pajisje të logjistikës bashkëkohore, janë ndëshkuar 994 drejtues mjetesh, për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara, 137 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara dhe 42 drejtues mjetesh, për përdorim të celularit, gjatë drejtimit të mjetit.Gjithashtu janë ndëshkuar 92 drejtues motomjetesh për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 75 drejtues automjetesh, për mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe 101 drejtues automjetesh, për ndalim ose pushim të automjetit, në kundërshtim me sinjalistikën rrugore. Policia Rrugore e Shkodrës vijon kontrollet në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. Gjithashtu, apelon për zbatimin me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, në favor të jetës dhe shëndetit.