Rrumbullaku u dorëzon “Medalje Nderi”, 3 drejtuesve të strukturave për Kufirin dhe Emigracionin, të Policisë Kombëtare
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku është vlerësuar nga homologu spanjoll me “Urdhrin e Meritës Policore” dhe me “Medaljen e Kryqit të Bardhë”, ndërsa 2 drejtuesit e departamenteve për Kufirin dhe Migracionin dhe për Marrëdhëniet Ndërkombëtare janë vlerësuar me “Medaljen e Kryqit të Bardhë”.
Po ashtu, Rrumbullaku iu ka dorëzuar 3 drejtuesve të strukturave për Kufirin dhe Emigracionin, të Policisë Kombëtare spanjolle “Medaljen e Nderit”, të akorduar nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla.
“Për të vlerësuar bashkëpunimin dhe rezultatet e arrira së bashku, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku iu dorëzoi “Medaljen e Nderit”, të akorduar nga Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, 3 drejtuesve të strukturave për Kufirin dhe Emigracionin, të Policisë Kombëtare spanjolle, konkretisht:
-Komisarit të Përgjithshëm të Emigracionit dhe Kufirit të Policisë Kombëtare të Mbretërisë së Spanjës, z. Julián Ávila Polo;
-Drejtuesit të Departamentit Qendror të Riatdhesimeve dhe Kthimeve në Komisariatin e Përgjithshëm të Emigracionit dhe Kufirit, z. David Bartolomé Sanz;
-Drejtuesit të Departamentit të Koordinimit dhe Emigracionit në Komisariatin e Përgjithshëm të Emigracionit dhe Kufirit, Z.Fernando Vaquero Moreno”, thuhet në njoftim.
Në ceremoninë për dorëzimin e medaljeve për zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit, ishte i pranishëm dhe Ambasadori i Shqipërisë, në Spanjë, z. Gazmend Barbullushi.
Rrumbullaku shprehu falënderimet për vlerësimin e bërë, për të cilin u shpreh se ndjehet shumë krenar dhe se është një motivim për të dhe për 2 drejtorët e departamenteve, për të përmbushur me devocion misionin e vështirë të përballjes me sfidën globale të luftës kundër krimit. Po ashtu nënvizoi se ky është një vlerësim që i bëhet të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët me profesionalizimin e tyre kanë sjellë realizimin e suksesshëm të një sërë operacionesh të përbashkëta në luftën kundër krimit dhe kanë ndihmuar në forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, jo vetëm profesional, por dhe miqësor.
Ndërkohë, Drejtori Francisco Pardo Piqueras u shpreh se në kohët e sotme, kur lufta ndaj krimit është një sfidë globale, bashkëpunimi është një element shumë i rëndësishëm, si në nivel bilateral ashtu dhe në atë multilateral.