RTSH me studio moderne – Rinovohen ambientet e “3D”, “Mirëmëngjesi Shqipëri” dhe “E diela jonë”
“Radio Televizioni Shqiptar po rikthehet sërish i madh” nuk është thjesht një slogan televiziv, por mishërim i një procesi disa mujor që tashmë po merr formë. Për këtë flasin shifrat e shikueshmërisë gjithnjë në rritje, por edhe niveli që përcjellin secili prej dhjetëra emisioneve në transmetim. Padyshim që cilësia në rritje, nuk mund të ishte e tillë pa rimodelimin e studiove, që tashmë do të jetë shtëpia e re e disa emisioneve të përditshme.
Një nga talk shoë-t më të ndjekur në vend, “3 D” nga Alban Dudushi, duke nisur që nga kjo fillimjave do të ketë një studio të re, ku debatet politike dhe temat më të nxehta të ditës, do të marrin tjetër peshë.
“Studio, patjetër që e sjellë emisionin në një dimension të ri, do të ketë rezonancë edhe tek mënyra se si zhvillohen biseda, mënyrat se si ndërtohet vet emisioni dhe natyrisht edhe mënyra se si përcillet ai tek publiku”, tha Alban Dudushi.
Tashmë mirëmëngjesi për të gjithë shqiptarët do të thuhet për publikun, prej Ermalit dhe Valbonës, nga një tjetër “shtëpi” tërësish e rinovuar
“Vlen më së tepërmi për programin që ne të japim 100% tonë, i jep një tjetër pamje dhe çka është e rëndësishme është mirënjohja që u bë diçka e tillë sepse kjo tregon besueshmëri në program, tek ne duke e kthyer atë në energjinë tonë”, tha Ermal Qori.
Rubrikat e shumta të emisionit “E diela Jonë” nga Ermal Peçi do të marrin një tjetër kuptim. Tashmë janë krijuar të gjitha kushtet në realizimin e lojërave e të ftuarve specialë, për të ardhur te publiku pa filtra dhe me cilësinë më të mirë teknologjike e skenografike, modele të huazuara nga mjeshtërit më të mirë të skenografisë televizive.
“Më në fund e kemi studion, është një lajm fantastik kjo jo vetëm për ne por edhe për publikun që na ndjek në të gjitha programet e Radio Televizionit Shqiptar”, tha Ermal Peçi.
Po kjo valë ndryshimesh do të vazhdojë edhe në vijim për të sjellë tek publiku një maratonë emisionesh që mbartin fjalën e fundit të teknologjisë.