RTSH në panairin e punës, studentët tregojnë interes për të punuar në televizion
Në situatën që po përjeton tregu i punës në Shqipëri, punësimi mbetet ndër sfidat kryesore për të rinjtë, të cilët me mbarimin e studimeve shpeshherë e gjejnë veten jashtë tregut të punës ose larg profesionit të tyre.
Për t’i ardhur në ndihmë studentëve, si dhe për të plotësuar nevojat për burime njerëzore, po zhvillohet panairi i punës, ku marrin pjesë një numër i madh kompanish të konfirmuara në treg, një ndër të cilat është edhe Radiotelevizioni Shqiptar.
“Unë jam student i ‘Teknologjisë së informacionit’ dhe pse jo, të filloj punë në media.” / “Gjithçka që ka të bëjë me komunikimin, me të qenët sociale, pjesë e televizionit,” thonë dy të rinj.
Sipas përfaqësueses së Akademisë së Trajnimeve në RTSH, Megi Llakmani, ky institucion është dhe do të jetë gjithnjë i hapur për prurje të reja në tregun e punës.
“Për 64 vite, Televizioni publik Shqiptar ka rritur breza dhe ka qenë një shkollë e dytë për gazetarë me emër dhe për njerëz me kontribut shumë të rëndësishëm në mediet shqiptare. Ne sigurimit që jemi shumë të lumtur dhe të hapur që të tërheqim trurin dhe të mirëpresim brezat e rinj,” tha znjsh. Llakmani.
Ky është viti i dytë radhazi ku RTSH merr pjesë në këtë panair.