RTSH sërish e madhe! Drejtori i Përgjithshëm, Alfred Peza, tregon sfidat e 2024-s tek “E diela jonë”
Drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar, Alfred Peza, i ftuar në emisionin “E diela jonë” foli për punën, arritjet dhe objektivat për ta bërë RTSH-në përsëri të madhe.
Radiotelevizioni Shqiptar ofron për publikun mijëra materiale cilësore në dhjetëra kanalet e saj. Edicionet e lajmeve, të rejat nga sporti, emisionet argëtuese e informative, materialet e dedikuara për çdo komunitet, janë përditshmëria e personave që punojnë në medien publike të vendit.
Z. Peza u shpreh se një risi sivjet ka qenë studioja 360 gradë, e vetmja që mundëson ndryshueshmëri duke i dhënë pamje dhe vlerë çdo programi.
“Është një koncept i ri televiziv dhe në dijeninë time është e vetmja studio në televizionet shqiptare që është 360 gradë video wall, led wall dhe nga ana tjetër me lëvizshmëri totale në disa nivele për të krijuar një fleksibilitet maksimal dhe për të arritur të shfrytëzohet në maksimumin e vet, për të bërë programe të cilat kur dalin në ekran janë të diversifikuara dhe duken si studio më vete, duke i dhënë vlera çdo programi.
Bashkëpunimi me profesionistet e RAI-t për këtë studio apo edhe për skenën e Festivalit të 62-të të Këngës dhe në projekte të tjera është një privilegj, por nga ana tjetër edhe një detyrim i yni për të rritur standardet.”
Gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm tha se objektivi është të arrijmë objektivin për ta ngulitur RTSH-në edhe në epokën digitale.
“Sapo kemi filluar projektin për ta bërë RTSH-në sërish të madhe edhe në epokën digitale. Aktualisht RTSH realizon 107 programe në radio e televizion dhe ky është numri më i madh i programeve të relaizuara, besoj ndër vite. Sfida jonë nuk është sasia, por fokusi ynë është cilësia e këtyre programeve në mënyrë që t’i ngremë standardet në lartësinë që meriton RTSH,” tha z. Peza.