RTSH–TRT nënshkruajnë në Turqi Protokollin e Bashkëpunimit për transmetime të përbashkëta
Numrit të madh të bashkëpunimeve të Radiotelevizionit Shqiptar me transmetuesit publikë ndërkombëtarë i shtohet dhe një tjetër partneritet i suksesshëm.
Në Ankara të Turqisë, finalizohet sot Protokolli i Bashkëpunimit mes RTSH-së dhe Korporatës së Radiotelevizionit Turk (TRT). Drejtori i Përgjithshëm i RadioTelevizionit Shqiptar, Alfred Peza dhe homologu turk Mehmet Zahid Sobaci do të firmosin Protokollin e Bashkëpunimit në prani të kryeministrit Edi Rama dhe presidentit turk, Rexhep Tajip Erdoan.
Po çfarë pritet nga ky bashkëpunim mes RTSH-së dhe TRT-së?
Me 14 pika, ky protokoll synon përmirësimin më tej të bashkëpunimit mes dy televizioneve. Konkretisht, pjesëmarrësit do të fitojnë të drejtat e transmetimit të programeve radiotelevizive falas ose kundrejt një tarife për një periudhë të caktuar licence ose do të shkëmbejnë programe pa pagesë.
Dy televizionet do të përdorin programet e radios dhe televizionit të siguruara për një periudhë të caktuar të licensuar vetëm për transmetimet e tyre si dhe do të marrin pjesë, reciprokisht dhe sipas mundësive dhe aftësive të tyre, në festivale radio dhe TV, konkurse dhe shfaqje kulturore në vendet e njëri-tjetrit.
Tashmë, me 16 kanale televizive, Radio Televizionit Shqiptar është padyshim një bashkëpunëtore dinjitoze dhe me transmetuesit e mëdhenj publik të huaj siç është Korporata e Radiotelevizionit Turk (TRT).