Rusia blen 5.5 mld dollarë armë nga Koreja e Veriut, alarmohet Kina
Që nga shkurti i vitit 2022, Federata Ruse ka blerë deri në 5.5 miliardë dollarë armë nga Koreja e Veriut. Raporti i dalë së fundmi në dritë për opinionin publik tregon se Rusia po përpiqet të përdorë bashkëpunimin me Korenë e Veriut si levë për ndikimin në vendet e Azisë Lindore.
Ndërkaq, sipas raportit po krijohet presion shtesë mbi Korenë e Jugut dhe Japoninë, gjë e cila kontribuon në ndryshimin e balancës rajonale të fuqisë në favor të Rusisë.
Megjithatë, jetëgjatësia e marrëveshjes midis vendeve ngre dyshime serioze dhe në mënyrë domethënëse ku një bashkëpunim i tillë mund të prishë marrëdhëniet e Moskës me Kinën.
Ashtu siç vë në dukje edhe Financial Times, Pekini druhet se bashkëpunimi ushtarak i Koresë së Veriut me Rusinë do të prishte ekuilibrin rajonal dhe se madje mund ta detyrojë Kinën të mbrojë Korenë e Veriut në rast të një konflikti ushtarak.
Ndërkohë, Koreja e Veriut planifikon të dërgojë edhe më shumë trupa në Rusi, mijëra ushtarë të Koresë së Veriut janë dërguar drejt rajonit të Kurskut në një përpjekje për të zhvendosur njësitë e Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Këtë e bëri të ditur edhe vetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte.
Sipas tij, dislokimi i trupave koreanoveriore dhe përfshirja në luftën e Rusisë përbëjnë një përshkallëzim të rëndësishëm, duke shkelur, sipas NATO-s, rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Thellimi i bashkëpunimit ushtarak midis Rusisë dhe Koresë së Veriut është një kërcënim për sigurinë Indo-Paqësor dhe Euro-Atlantik. Ai minon paqen në Gadishullin Korean dhe nxit luftën ruse kundër Ukrainës. Pheniani tashmë e ka furnizuar Rusinë me miliona municione dhe raketa balistike që po nxisin një konflikt të madh në zemër të Evropës dhe po minojnë paqen dhe sigurinë globale. Në këmbim, [Presidenti] Putin po i ofron Koresë së Veriut teknologji ushtarake dhe mbështetje tjetër për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare.
Kjo nënvizon rëndësinë e demokracive që qëndrojnë së bashku për të mbështetur vlerat tona dhe për të përballuar sfidat tona të përbashkëta të sigurisë, por vendosja e trupave të Koresë së Veriut në Kursk është gjithashtu një shenjë e dëshpërimit në rritje të [Presidentit] Putin. Mbi 600.000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur në luftën e [Presidentit] Putin dhe ai nuk është në gjendje të përballojë sulmin e tij ndaj Ukrainës pa mbështetjen e huaj. Kjo për shkak se ukrainasit po luftojnë me guxim, qëndrueshmëri dhe zgjuarsi”, deklaroi Rute.