Rusia fut në listën e të kërkuarve zëdhënësin e kompanisë Meta
Rusia ka futur në listën e të kërkuarve zëdhënësin e kompanisë Meta. Sipas Ministrisë së Brendshme ruse, Andy Stone u vu në listën e të kërkuarve në Rusi me akuza penale, ndërsa nuk bëhet me dije se cilat janë akuzat ndaj tij.
“Andy Mark Stone kërkohet sipas një neni të Kodit Penal Rus”, thuhet në deklaratën në bazën e të dhënave.
Nga dosja në bazën e të dhënave të Ministrisë së Brendshme, rezulton se Stone është vendosur vazhdimisht në listën e të kërkuarve.
Komiteti Hetimor i Rusisë nisi procedimin penal marsin e kaluar në funksion të thirrjeve për dhunë dhe vrasje ndaj rusëve në lidhje me veprimet e punonjësve të Meta.
“Sekretari i shtypit i Metës, Andy Stone, tha në atë kohë në rrjetin social se Meta hoqi përkohësisht ndalimin e thirrjeve për dhunë ndaj ushtarakëve rusë”, theksoi më parë Komiteti. Në kuadër të procedimit penal po merreshin veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim trajtimin ligjor të veprimeve të Andy Stone dhe punonjësve të tjerë të korporatës amerikane.