Rusia: Marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në mund të prishen për shkak të konfiskimeve të aseteve
Rusia mund të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Shtetet e Bashkuara, nëse Uashingtoni konfiskon asetet ruse të ngrira për shkak të luftës në Ukrainë. Kjo deklaratë citohet nga agjencia e lajmeve Interfax, duke ju referuar të premten një deklarate të zëvendësministrit të Jashtëm rus, Sergei Ryabkov.
Shtetet e Bashkuara “nuk duhet të veprojnë nën iluzionin… se Rusia është e ngjitur me të dyja duart në marrëdhëniet diplomatike me atë vend,”, tha Ryabkov.
Rusia i ka cilësuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara si “nën pikën zero” për shkak të ndihmës ushtarake dhe financiare të Sheteve të Bashkuara për Ukrainën.
Ryabkov tha se ndërprerja e marrëdhënieve nuk do të fillohej nga ana e Rusisë, por se një gjë e tillë mund të nxitej nga një sërë faktorësh.
“Shkak mund të jetë konfiskimi i pasurive, përshkallëzimi i mëtejshëm ushtarak, shumë gjëra të tjera. Nuk do të doja të hyja në parashikime negative,” tha ai, duke shtuar se Moska ishte “gati për çdo skenar”.
Disa politikanë perëndimorë po kërkojnë me forcë që pasuritë e ngrira të Rusisë, me një vlerë prej rreth 300 miliardë dollarësh, t’i jepen Ukraiës për ta ndihmuar në rindërtimin e ekonomisë të shkatërruar nga lufta.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve të premten se çdo veprim i tillë do t’i jepte një goditje të rëndë sistemit financiar global.
Ai tha asnjë vend që konfiskonte pasuritë e Rusisë nuk do të lihej në paqe nga ana e Moskës dhe se në një skenar të tillë Rusia do të shqyrtonte se cilat pasuri perëndimore mund të konfiskonte për t’u hakmarrë. Reuters