Rusia ndërmerr sulm “masiv” në rrjetin elektrik të Ukrainës
Ministria e Energjisë në Ukrainë dhe operatori kombëtar i rrjetit, Ukrenerho kanë thënë se infrastruktura shtetërore e energjisë është shënjestruar sërish me raketa dhe dronë rusë.
Si pasojë e sulmeve janë dëmtuar sistemet e energjisë në rajonet Lviv dhe Zaporizhja, ka thënë Ukrenerho përmes një deklarate në Telegram.
Ministria e Energjisë ka thënë se, për shkak të sulmit, janë shkëputur linjat e energjisë në lindje të Ukrainës, çka ka ndikuar në furnizime më të dobëta me energji në rajon.
Ukrenerho ka thënë se ky është sulmi i tetë i shkallës së gjerë që ka shënjestruar sistemin e energjisë në tre muajt e fundit.
Ndërkohë, ushtria e Ukrainës ka thënë se sistemet e saj për mbrojtje ajrore kanë rrëzuar 12 prej 16 raketave dhe të 13 dronët e nisur prej Rusisë përgjatë natës.
Ministria ruse e Mbrojtjes nuk e ka komentuar sulmin. Në muajt e fundit, Rusia ka shënjestruar në mënyrë sistematike infrastrukturën kritike të energjisë në Ukrainë, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe duke lënë mijëra njerëz pa rrymë.
Sipas disa vlerësimeve, rreth gjysma e kapacitetit për prodhim të rrymës në Ukrainë, është shkatërruar si pasojë e luftës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se shpreson në zhvillimin e infrastrukturës për energji të ripërtrishme, për të tejkaluar krizën me energji, të shkaktuar prej sulmeve ruse.