Rusia paralajmëron SHBA-të: Nëse Ukraina na godet me raketat tuaja, do jeni palë në konflikt
Rusia ka bërë të ditur se do t’i konsiderojë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj si palë në luftën në Ukrainë dhe Moska do të përdorë armë më të fuqishme nëse Perëndimi i lejon Ukrainës të përdorë armë me rreze të gjatë për sulme brenda territorit rus.
“Uashingtoni dhe shtetet e tjera evropiane po bëhen palë në luftën në Ukrainë”, thotë në Telegram Vyacheslav Volodin, kryetari i Dumës së Rusisë, dhoma e ulët e parlamentit.
Volodin thotë se Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca dhe Britania po bëhen palë në konflikt.
“E gjithë kjo do të çojë në faktin se vendi ynë do të detyrohet të përgjigjet duke përdorur armë më të fuqishme dhe shkatërruese për të mbrojtur qytetarët e tij”, thotë Volodin.
Ndërkaq, më herët, SHBA ka lënë të kuptohet se mundë të heqë kufizimet ndaj Ukrainës dhe të lejojë përdorimin e raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi kundër Rusisë.
Presidenti Joe Biden ka theksuar se Uashingtoni do të heqë kufizimet dhe nëse kjo ndodh, do të përmbushte kërkesat e përsëritura të Ukrainës për të liruar kufijtë e armëve të furnizuara nga SHBA.
Që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, SHBA-ja ka hezituar të furnizojë dhe lejojë përdorimin e armëve që mund të godasin objektiva thellë brenda Rusisë, nga frika se do të përshkallëzonte konfliktin.