Rusia vendos veton ndaj rezolutës së OKB-së, që bën thirrje për parandalimin e një gare të armëve bërthamore në hapësirë
Rusia vuri veton të mërkurën ndaj një rezolute të OKB-së të sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Japonia, duke u bërë thirrje të gjitha kombeve të parandalojnë një garë të rrezikshme të armëve bërthamore në hapësirën e jashtme.
Votimi në Këshillin e Sigurimit prej 15 anëtarësh ishte 13 pro, Rusia kundërshtoi dhe Kina abstenoi.
Rusia e hodhi poshtë rezolutën si të politizuar dhe tha se nuk shkoi aq larg sa duhet në ndalimin e të gjitha llojeve të armëve në hapësirë.
Rezoluta do t’u kishte bërë thirrje të gjitha vendeve që të mos zhvillojnë ose vendosin armë bërthamore ose armë të tjera të shkatërrimit në masë në hapësirë, siç u ndalua sipas një traktati ndërkombëtar të vitit 1967 që përfshinte SHBA-në dhe Rusinë, dhe të bien dakord për nevojën për të verifikuar pajtueshmërinë.
Ambasadorja e SHBA, Linda Thomas-Greenfield tha pas votimit se presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se Moska nuk ka ndërmend të vendosë armë bërthamore në hapësirë, por se vetoja e vendit ngre pyetjen se çfarë mund të fshehë qeveria.
Putin deklaroi më pare se Moska nuk ka ndërmend të vendosë armë bërthamore në hapësirë, duke pretenduar se vendi ka zhvilluar vetëm aftësi hapësinore të ngjashme me ato të Shteteve të Bashkuara.
Ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia i tha këshillit para votimit se rezoluta ishte “absurde dhe e politizuar”.
Nebenzia propozoi një ndryshim në draftin SHBA-Japoni duke thënë se një garë armatimi në hapësirën e jashtme duhet t’i referohet të gjitha llojeve të armëve – jo vetëm armëve bërthamore dhe armëve të tjera të shkatërrimit në masë.
Ajo u rrëzua me një votim të 7 vendeve pro, 7 kundër dhe një abstenim, sepse nuk arriti të merrte minimumin prej 9 votash “po” të kërkuara për miratim.
Projekt-rezoluta që dështoi nënvizonte se “parandalimi i një gare armatimesh në hapësirën e jashtme do të shmangte një rrezik të madh për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.
Ajo do t’i kishte nxitur të gjitha vendet që kryejnë aktivitete në eksplorimin dhe përdorimin e hapësirës së jashtme të respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e OKB-së. AP