Rusia vijon sulmet masive në Ukrainë, Kievi: Jemi nën kërcënimin e një sulmi me armë balistike
Rusia ka vënë në shënjestër Ukrainën me një valë tjetër sulmesh, një ditë pas një prej sulmeve ajrore më të mëdha të luftës. Janë raportuar edhe sulme masive me dron.
Forcat e mbrojtjes ajrore të Ukrainës thonë se i gjithë vendi është nën kërcënimin e një sulmi me armë balistike.
Një deklaratë nga Ministria ruse e Mbrojtjes tha se armatime precize me rreze të gjatë dhe me bazë detare ishin përdorur për të goditur stacionet e energjisë dhe infrastrukturën përkatëse në të gjithë Ukrainën, duke përfshirë në Kiev, Lviv dhe rajonet Kharkiv dhe Odesa. Të paktën gjashtë persona vdiqën gjatë natës të së dielës deri të hënën dhe dhjetëra u plagosën pasi më shumë se gjysma e rajoneve të Ukrainës u sulmuan nga dronë dhe raketa.
Infrastruktura e energjisë elektrike u godit duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në shumë qytete, ku u prekën edhe furnizimet me ujë. Presidenti i SHBA Joe Biden i quajti sulmet “të egra”, duke thënë se Uashingtoni do të vazhdojë të mbështesë rrjetin energjetik të Ukrainës.
Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy dënoi “sulmet frikacake të raketave dhe dronëve të Rusisë ndaj infrastrukturës civile”. Tre persona tashmë dihet se kanë vdekur në raundin e fundit të sulmeve. Disa persona janë të zhdukur.
Të hënën, Zelensky u bëri thirrje aleatëve perëndimorë, përfshirë Britaninë e Madhe, SHBA-në dhe Francën që të ndryshojnë rregullat e tyre dhe të lejojnë Ukrainën të përdorë armët e saj për të goditur më thellë brenda Rusisë.
Ukraina lejohet të përdorë disa armë perëndimore për të goditur objektivat brenda Rusisë, por jo armë me rreze të gjatë./ BBC