Rusia zhvillon ditën e fundit të votimeve presidenciale, Ukraina nis sulmet me dron ndaj saj
Ukraina nisi një valë të re masive sulmesh me dron këtë të diel (17 mars) teksa rusët votojnë në ditën e fundit të votimit presidencial ku sundimi i Vladimir Putin pritet të zgjatet edhe për 6 vite të tjera.
Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi rrëzimin e 35 dronëve ukrainas gjatë natës, duke përfshirë katër në rajonin e Moskës. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, dy dron të tjerë u qëlluan mbi rajonin Kaluga në jug të kryeqytetit rus dhe rajonin Yaroslavl në verilindje të Moskës.
Sulmet në rajonin e Yaroslavl, i cili ndodhet rreth 800 kilometra nga kufiri ukrainas, ishin disa nga më të largëtat e nisura nga Ukraina deri më tani.
“Të tjerë drone ukrainas u rrëzuan mbi rajonet Belgorod, Kursk dhe Rostov që kufizojnë Ukrainën dhe rajonin jugor të Krasnodarit”, tha Ministria e Mbrojtjes.
Një nga dronët ukrainas ra në një rafineri në rajonin e Krasnodarit, duke shkaktuar një zjarr që u shua disa orë më vonë. Rafineritë dhe terminalet e naftës kanë qenë objektivat kryesore të sulmeve me dron të Ukrainës.
Putin i përshkroi këto sulme si një përpjekje e Ukrainës për të frikësuar banorët dhe për të prishur zgjedhjet presidenciale të Rusisë.
“Ato sulme armike nuk kanë qenë dhe nuk do të lihen pa u ndëshkuar. Jam i sigurt se populli ynë, populli i Rusisë, do t’i përgjigjet kësaj me kohezion edhe më të madh”, tha Putin.