Sadushi: Shqetësues numri i lartë i rekurseve, të ndryshohet mentaliteti juridik
Kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi ka bërë një përmbledhje të punës së bërë nga ky institucion gjatë vitit 2023.
Në fjalën e tij në konferencën për media, ndërsa e konsideroi 2023-shit si një vit plot suksese, Sadushi u shpreh se tre vite Gjykata e Lartë gjendej në një kolaps të plotë, teksa sot, sipas tij, “skeptikët po heshtin dhe po pranojnë produktin e një pune në kufijtë e të pamundurës”.
Sadushi theksoi më tej se prej dy vitesh, Gjykata e Lartë tejkalon standardin ndërkombëtar, duke arritur për vitin 2023, një normë të likujdimit të çështjeve prej afro 425%.
“Vetëm në harkun e tre vjet rimëkëmbjeje, numri prej 24.688 vendimesh ka tejkaluar backlogun, që rezulton i ulur ndjeshëm në 24.120 çështje. Ulja e numrit të lartë të çështjeve të prapambetura kërkon kohë dhe një strategji koherente e frytdhënëse, që falë bashkëpunimit me projektin që mbështetet nga Departamenti i Shtetit, Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë, ka rezultuar i sukseshëm.
Gjykata e Lartë po e kryen funksionin e dhënies së drejtësisë, përmes një metodologjie të qartë dhe një ritmi të lartë të punës së trupës gjyqësore dhe stafit mbështetës, me synim kryesor për të përçuar më tepër shpresë dhe besim te publiku. Raporte të ndryshme, me metodologji të ndryshme kanë arritur në një përfundim të përbashkët: Gjykata e Lartë cilësohet si institucioni më i hapur dhe më transparent brenda sistemit”, u shpreh ai.
Një problematikë e ngritur nga kreu i Gjykatës së Lartë është mënyra e paraqitjes së rekurseve nga avokatët.
Ai theksoi se është tejet shqetësues numri i lartë i rekurseve të cilat sipas Sadushit, nuk kalojnë testin e pranueshmërisë.
“Përherë e kam evidentuar si një problematikë shqetësuese numrin e lartë të rekurseve, të cilat nuk arrijnë të kalojnë testin e pranueshmërisë
Moskalimi i testit të pranueshmërisë adreson shqetësimin tek avokatët privat, Avokatura e Shtetit dhe prokuroria. Është e papranueshme për ata që prezumohet se kanë njohuri për ligjin, të vijojnë të paraqesin rekurse haptazi të pabazuara. Duhet të kuptohet qartë se përfundimi që nxjerrë Gjykata e Lartë për një rekurs haptazi të pabazuar nuk ka ndonjë dallim nga rasti, kur evidentohet kryerja e një veprimi abuziv nga avokati apo përfaqësuesi i shtetit, të cilët nuk mund dhe nuk duhet lënë pa u ndëshkuar, si nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ashtu edhe nga Avokatura e Përgjithshme e Shtetit.
Mënyra se si paraqiten rekurset përbën një problem tepër serioz që dëshmon për nivelin e ulët profesional të përfaqësimit. Pavarësisht masave që merr Gjykata e Lartë, qoftë edhe me gjobitjen e avokatëve, paraqitet i domosdoshëm ndryshimi i mentalitetit juridik, por edhe kuptimi për mjetet e ankimit, në përgjithësi dhe rekursit, në veçanti. Avokatët duhet të kuptojnë se Gjykata e Lartë është një gjykatë ligji dhe jo një gjykatë fakti. Nevojitet që ata të ndjekin praktikën gjyqësore, me qëllim që të mos e investojnë Gjykatën për çështje të panevojshme, me rekurse të pasuksesshme dhe haptazi të pabazuara”, tha ai.