Salernitana sfidon Vllazninë, synon Shkodran Mustafin
Shkodran Mustafi është një lojtar i lirë, që nga vera e vitit të kaluar, kohë kur i përfundoi kontrata me spanjollët e Levantes. Qendërmbrojtësi synohet nga Vllaznia, që kërkon të sjellë në Shkodër një emër të njohur të futbollit botëror.
Por në garën për shërbimet e mbrojtësit gjerman (me origjinë shqiptare) është futur edhe klubi italian i Salernitanës. Sipas ‘TuttoSalernitana’, nisur nga hezitimet e grekut Kostas Manolas, drejtuesit e klubit granata me në krye Walter Sabatinin kanë kontaktuar me ish-lojtarin e Sampdorias.
Duke marrë parasysh që lista e lojtarëve të dëmtuar është rritur dhe se trajneri Filippo Inzaghi ka kërkuar në mënyrë specifike një sakrificë të vogël nga klubi në repartin e mbrojtjes, Shkodran Mustafi është një alternativë interesante në tregun e lojtarëve të lirë.
I lindur në vitin 1992, Mustafi veshi fanellën e Sampdorias nga viti 2012 deri në 2014 përpara se të transferohej te Valencia për tetë milionë euro plus dy bonuse. Dy vjet më vonë, klubi spanjoll ia shiti Arsenalit për 41 milionë euro.