Sali Berisha në konferencën e fundvitit: 2025 do të jetë viti i PD-së
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bindjen se do të jetë ai kryeministri mikpritës i samitit të NATO-s, që pritet të mbahet në Tiranë në vitin 2027. Sipas shefit të qeverisë, Edi Rama, i pranishëm do të jetë edhe presidenti amerikan Donald Trump.
“Më 2027, samitin e organizon ai që anëtarësoi Shqipërinë në NATO dhe jo ai që bëri protesta kundër NATO-s,” tha kryedemokrati.
Berisha iu përgjigj akuzave të Ramës për çështjen e pensioneve, duke theksuar se gjatë qeverisjes së tij pensionet janë dyfishuar.
“Me pensionistët shqiptarë ai ka kryer një krim masiv. Qeverisja e mëparshme i dyfishoi pensionet, mbidyfishoi pensionin minimal, dyfishoi pensionin mesatar dhe rriti me 60–70 për qind pensionin më të lartë,” sqaroi Berisha.
Kryetari i PD-së i dha sërish vëmendjen kryebashkiakut Erion Veliaj, duke publikuar një biletë që provon se data e kthimit të tij nga SHBA-ja është 17 janari dhe jo kur deklaroi kreu i bashkisë së Tiranës.
“Tani ai po e mbush komunitetin ndërkombëtar se po persekutohet nga Sali Berisha. E tëra kjo është vetëm që të mundet të marrë statusin e azilantit politik,” deklaroi shefi i PD-së.
Si sot një vit më parë, Berisha u izolua në arrest shtëpie, ndërsa thotë se nuk dekurajohet nga cilido vendim i gjykatës në fillim të janarit, pas kërkesës së SPAK-ut për ndryshimin e masës së sigurisë.
“SPAK ka bërë dhe bën çdo përpjekje për të zbatuar urdhrin e Edi Ramës. Unë jam këtu për të qëndruar kundër narkodiktaturës me të gjithë potencialin tim,” tha Berisha.
Berisha e quan jo vetëm 2024-ën vitin e opozitës, por edhe vitin 2025, pasi është shpresëplotë se Partia Demokratike do të dalë fituese në garën e 11 majit.