Salianji: Do kallëzojmë penalisht disa deputetë të PS. Nëse nuk plotësohen 3 kërkesat, përshkallëzojmë aksionin opozitar
Deputeti demokrat Ervin Salianji ka deklaruar para mediave pas mbylljes së seancës plenare mes kaosit e tensioneve, se do të kallëzojnë penalisht disa prej deputetëve socialistë për shpërdorim detyre.
Salianji u shpreh se deputetët socialistë nuk i lejuan demokratët që të ushtrojnë funksionin e tyre, duke shkelur ligjin dhe duke futur duart në buxhetin e shtetit.
Po ashtu, Salianji akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe deputetët e PS se e kanë kthyer Parlamentin në një kotec.
“PS , Rama dhe matrioshkat e tij e kthyen parlamentin në një kotec ku mblidhen për të mbledhur vezët që ju duhen. I kanë duart e bëra pis me korrupsion dhe PS ha bakllavanë ditën që kalon buxhetin për të vjedhur miliona euro për ti kaluar te oligarkët.PS në mënyrë të paligjshme kishte vendosur të linte gardën në çdo karrige ministri e deputetit. Prapanica është e deputetit, karriget janë të popullit. U detyruan sot t’i rrinin vjedhjes në këmbë dhe duke mos dhënë argumente për ligjet që kaluan.
Përsa kohë kjo që patë sot, është Parlamenti i Edi Ramës, kjo është pasoja, arsyen gjejeni te Edi Rama. Disa prej deputetëve socialistë do i kallëzojmë penalisht për shpërdorim detyre duke mos na lënë të ushtrojmë funksionin tonë të kërkuar nga deputetët.
Kush guxon të shkelë ligjin dhe të fusë duart te buxheti i shtetit, vjedhin dhe gardistët, flakadanët që janë shprehje proteste. Do rikthejmë demokracinë, dhe parlamentarizmin ose parlament si do Edi Rama nuk do ketë”, tha Salianji.
Ky i fundit paralajmëroi protesta të tjera nga demokratët, nëse tre kushtet e tyre nuk plotësohen nga PS.
“Ne kemi tre kushte: Komisione Hetimore; të kontrollojmë paratë e qytetarëve që merren nëpërmjet taksave, se ku shkojnë? Të rikthejmë demokracinë dhe parlamentarizmin ose parlament si do Edi Rama, nuk do ketë.
Shtresa e mesme dhe profesionet e lira do taksohen më shumë se 23 % që të kenë mundësi të financojnë mafien qeveritare. Deri sa të arrijmë plotësimin e kërkesave tona dhe Kushtetuta të prevalojë, ne do përshkallëzojmë aksionin tonë opozitar e më deri më tej”, tha Salianji.