Salianji në burg, avokatët kërkesë në Gjykatë: Të shtyhet ekzekutimi i vendimit
Edhe pse u dorëzua vullnetarisht për të zbatuar vendimin e gjykatës së Apelit që e dënoi me një vit burg, Ervin Salianji po ndjek hapësirat ligjore me qëllim lirimin e tij. Nëpërmjet avokatëve mbrojtës, Salianji i është drejtuar gjykatës së Shkallës së parë në Tiranë me kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të Apelit, pasi sipas tyre sjell pasoja për deputetin, siç është humbja e mandatit dhe pamundësia për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Ky veprim do ti jepte kohë Salianjit edhe për hapin tjetër ,atë në Gjykatën e Larët për pezullimit të vendimit, e cila do të dorëzohet bashkë me rekursin, në momentin që do të zbardhet vendimi i arsyetuar.
Vetë Salianji lajmëroi se do të intensifikojë denoncimet e një procesit të montuar politikisht, sipas tij, duke përfshirë edhe akuzat për prokurorët dhe gjyqtarët që ishin pjesë e vendimmarrjeve përgjatë këtyre 5 viteve hetimesh dhe gjykimesh ndaj tij në dosjen Babale.
Gjithashtu një tjetër betejë ligjore e Slaianjit do të jetë ajo e dërgimit në Prokurorinë e Posaçme të një kallëzimi për hetimin pasuror të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Dokumenti u firmos nga deputetë të Grupit parlamentar Demokrat dhe pritet që ditën e hënë t’i dërgohet SPAK-ut.
Salianji u transferua një ditë më parë në burgun e Fierit ku do të kryejë dënimin 1 vjeçar të dhënë për të nga Gjykata e Tiranës dhe e lënë në fuqi nga ajo e Apelit, që e shpallën fajtor për kallëzim të rremë në denoncimin se vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, kryente aktivitetin e trafikut të narkotikëve.