“Salloni i Vjeshtës”, detajet e edicionit të ri/Tema e këtij viti, “Vjeshta e dashurisë dhe kreativitetit”
“Salloni i Vjeshtës” mbetet një nga evenimentet më të rëndësishme në kalendarin vjetor të Galerisë së Arteve Shkodër. Këtë vit ekspozita kombëtare do të shënojë edicionin e 18-të duke vijuar më tej traditën.
“Vjeshta e dashurisë dhe kreativitetit” është tema e këtij edicioni. Ajo vjen si një eksplorim i thellë se si stina e vjeshtës shërben si një kanavacë për reflektim të brendshëm dhe risi artistike. Kjo ekspozitë tematike shqyrton se si tranzicioni i botës natyrore gjatë vjeshtës ndikon në procesin krijues dhe pasqyron udhëtimin introspektiv të artistëve. Nëpërmjet këtij objektivi, vjeshta bëhet jo vetëm një stinë ndryshimesh, por edhe një metaforë për peizazhet e brendshme që artistët lundrojnë në punën e tyre.
Ekspozita me karakter kombëtar “Salloni i Vjeshtës” do të vijë e kuruar nga Mikel Temo. Ky i fundit, i lindur në Korçë ka një background të pasur në fushën e pikturës. Pas vitit 1990, vitit të ndryshimeve të medha politiko-sociale, ai ekspozon gjerësisht si brenda ashtu dhe jashte vendit punimet e tij duke nisur nga Greqia e me radhë në Kroaci, Itali, Francë dhe SHBA. Në maj 1991, çeli ekspozitën e parë personale, në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe menjëherë pas saj një seri ekspozitash të tjera do ta ndjekin veprimtarinë e tij artistike.
Galeria e Arteve në thirrjen e saj për pjesëmarrësit ka përcaktuar datën 15 nëntor si afatin e fundit të dorëzimit të punimeve artistike.