Samiti i Berlinit/ Rama: Shqipëria, sot është gdhirë si Europa e Ballkanit. Begaj: Ngjarje historike
Tryeza e Samitit të parë të Procesit të Berlinit po mbahet këtë vit jashtë kufijve të BE-së. Mbajtja e samitit në Tiranë, është konsideruar si një ngjarje historike nga Kryeministri Edi Rama dhe nga Presidenti Bajram Begaj.
Kryeministri Rama ka publikuar një foto nga salla ku do të ulen liderët e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, për Samitin e Procesit të Berlinit.
Rama deklaron se liderët evopianë dhe ata të Ballkanit Perëndimor e shohin me respekt e me vlerësim gjithnjë e më të larë Shqipërisë, e cila sot, sikurse thekson ai, është zgjuar si Evropa e Ballkanit.
“MIRËMËNGJES dhe me tryezën e Samitit të parë të Procesit të Berlinit jashtë kufijve të BE-së, në Piramidën e Diktatorit në Tiranë, ku do të ulen armiqtë e tij të betuar, të cilët e shohin me respekt e me vlerësim gjithnjë e më të lartë Shqipërinë, që sot është gdhirë si Europa e Ballkanit, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.
Ndërsa kreu i shtetit shprehet se mbajtja e Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë është mjaft domethënëse për rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe rajonit, ndërsa u ka uruar mirësardhjen delegacioneve pjesëmarrëse.
“Mbajtja ne Tiranë sot e Samitit të Procesit të Berlinit është një ngjarje e madhe historike për rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe rajonit.
I uroj mirëseardhjen dhe punime të mbara delegacioneve pjesëmarrëse”, shkruan Begaj në Facebook.
Tirana do të mbajë sot samitin e 9-të të procesit të Berlinit. 31 lider të bashkimit evropian, 5 vendeve të Ballkanit Perëndimor, mbërrijnë në Tiranë, për Samitin e Ballkanit Perëndimor, nisëm që ka marrë udhë që prej 2014-së si iniciativë e Kancelares gjermane Anxhela Merkel (o. Angela).