Samiti i Berlinit, Scholz: Ballkani Perëndimor e bën më të plotë BE-në

“Bashkimi Evropian është i kompletuar vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë të tij” ishte mesazhi që kancelari gjerman Olaf Scholz dha para liderëve të rajonit në Samitin e Procesit të Berlinit.

Teksa procesi i Berlinit shënon 10 vite që nga krijimi i tij nga ish kancelarja Angela Merkel, Scholz e cilësoi këtë proces si angazhimin më të mirë rajonal që do të përshpejtojë integrimin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Procesi i Berlinit është instrumenti më i mirë jo vetëm për bashkëpunimin rajonal, por edhe për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për ta thënë thjesht, dhe besoj se flas në emër të të gjithëve të mbledhur sot këtu, Bashkimi Evropian është i kompletuar vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë të tij” tha kancelari gjerman.

Scholz u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen më shumë në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, ndërsa shtoi se do të angazhohet personalisht për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Ne kemi nevojë për një dinamikë të re në procesin e normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kështu që unë dëshiroj t’u them sot miqtë tanë nga Beogradi dhe Prishtina: ju lutemi mos lejoni që e kaluara t’ju pengojë në rrugën tuaj drejt një të ardhmeje paqësore dhe të begatë. Unë do të vazhdoj të angazhohem personalisht me të dyja vendet, për t’u siguruar se ato e shfrytëzojnë këtë mundësi”, tha Scholz

Pjesë e samitit është edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka ndarë një foto nga takimi ku ai është duke diskutuar me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock.

Në Samitin e Procesit të Berlinit pritet që të nënshkruhet marrëveshja me planin e veprimit për një treg të përbashkët rajonal 2025–2028 dhe një marrëveshje për rritjen e aksesit në institucionet e arsimit të lartë në rajon.

Rezultatet e samitit do të prezantohen në një konferencë të përbashkët për shtyp nga kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, të cilët gjithashtu do të marrin pjesë në samit në emër të BE-së.

Procesi i Berlinit filloi në vitin 2014 nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe qëllimi kryesor i formatit ka qenë t’u mundësojë vendeve të Ballkanit Perëndimor të afrohen më shumë me BE-në, teksa presin që të anëtarësohen në familjen evropiane.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.