Samiti i klimës në Dubai, OKB u bën thirrje vendeve të heqin nga përdorimi karburantet fosile
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bshkuara Antonio Guterres kërkoi të hënën një marrëveshje në samitin botëror të klimës për të hequr gradualisht nga përdorimi karburantet fosile.
Një ditë përpara mbylljes së planifikuar të samitit në Dubai, Guterres paralajmëroi se kishte ende boshllëqe të mëdha, që kërkonin konsensus për të arritur një marrëveshje. Në thirrjen e tij shefi i OKB-së tha se duhet t’i kushtohet vëmendje edhe shqetësimeve të prodhuesve të karburanteve fosile.
“Thirrja për veprim nuk do të thotë që të gjitha vendet duhet të heqin dorë nga karburantet fosile në të njëjtën kohë”,- theksoi Guterres. Ai shtoi se në nivel global, heqja graduale e karburanteve fosile duhet të jetë në përputhje me objektivin “zero emetime gazrash” deri në vitin në 2050 dhe me kufirin prej 1.5 gradë Celsius në rritjen e temperaturës krahasuar me nivelet para-industriale.
Në një thirrje për veprim, shefi i klimës në OKB Sajmën Still bëri thirrje që vendet të kapërcejnë bllokimet taktike dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për adresimin e ndryshimeve klimatike.
Still tha se mosmarrëveshjet ishin ngushtuar në dy çështje: karburantet fosile dhe përshpejtimin e financimit të klimës nga vendet e pasura drejt vendeve në zhvillim. Ai njoftoi gjithashtu se një projekttekst i ri për një marrëveshje të mundshme do të publikohej së shpejti.
Kreu i kompanisë kombëtare të naftës të Emirateve të Bashkuara Arabe, El Zhabiren ka premtuar vazhdimisht se do të arrihet një marrëveshje historike për klimën në Dubai ndaj u ka kërkuar vendeve të arrijnë konsensus për karburantet fosile. “Dështimi nuk është një opsion” tha ai. Konferenca e 28-të Ndërkombëtare për Ndryshimet Klimatike nisi në Dubai më 30 nëntor dhe mbyll punimet më 12 dhjetor.