Samiti i NATO-s në Uashington- Aleanca më e madhe ushtarake feston 75-vjetorin e krijimit
32 liderët aleancës ushtarake të NATO-s mblidhen në Uashington në samitin vjetor që do të zgjasë deri më 11 korrik. Ky takim mbahet në 75-vjetorin e themelimit të saj.
Më herët Sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg tha se takimi i nivelit të lartë do të fokusohet në tri tema kryesore.
E para është forcimi i mbrojtjes për të shmangur një konflikt të armatosur, agjendë që është përforcuar, pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës.
Tema e dytë e samitit do të jetë mbështetja e përpjekjeve të Ukrainës për t’u mbrojtur kundër pushtimit rus. “Ukraina do të jetë në krye të agjendës sonë dhe ne jemi në rrugën e duhur për një samit të suksesshëm”, – u shpreh më herët Stoltenberg, megjithëse nuk ka gjasa që Ukraina, gjatë këtij samiti të marrë ftesë zyrtare për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s.
Aleatët pritet t’i paraqesin Kievit një plan të ri që do të shërbejë si urë drejt anëtarësimit, e cila do të përcaktojë hapat e ardhshëm. Vendet e NATO-s pritet të zotohen për më shumë mbështetje ushtarake dhe ekonomike.
Tema e tretë do të jetë forcimi i partneriteteve globale të NATO-s. Aleatët do të përqendrohen edhe tek kërcënimet që paraqet Kina, duke përfshirë fushatat e vazhdueshme të dezinformimit. Në takimin treditor të Uashingtonit marrin pjesë përfaqësuesit e të gjithë partnerëve të NATO-s, përfshirë Bashkimin Europian. Ky samit do të jetë i fundit për sekretarin Stoltenberg, pasi në vjeshtë do t’ia dorëzojë detyrën kryeministrit aktual të Holandës Mark Rutte.