Samiti i OSBE në Shkup, Kovaçevski kërkoi ndalimin e luftës ruse në Ukrainë
Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski, gjatë fjalimit në samitin e 30-të të Këshillit Ministror të OSBE-së përmendi agresionin rus në Ukrainë, duke bërë thirrje për ndërprerje të luftës.
“Çdo ditë që kalon dhe çdo jetë e humbur po dëshmon ashpërsinë e agresionit dhe aktin e shkeljes flagrante të sovranitetit dhe të kartës së Kombeve të Bashkuara, parimet dhe angazhimet e OSBE-së, por para së gjithash vlerat njerëzore. Populli i Ukrainës meriton paqe dhe lufta duhet të ndërpritet. Arritja e paqes mbetet një detyrim.. Kjo luftë po vazhdon të rrënojë themelet e OSBE-së” tha Kovaçevski.
Në samit po merr pjesë edhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov. Ai refuzoi t’u përgjgjej pyetjeve të gazetarëve para hyrjes në takim.
Më herët atij iu dha leje për të marrë pjesë në samit pavarësisht kundërshtimeve dhe bojkotit të paralajmëruar nga Ukraina e shtetet baltike.
Por në rrugën drejt Shkupit ai u përball me të papritura. Avioni me të cilin po udhëtonte Lavrov u detyrua të fluturonte mbi Turqi dhe Greqi për të arritur në Maqedoninë e Veriut, pasi Bullgaria nuk e lejoi të kalonte mbi hapësirën e saj ajrore.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zaharova, duke akuzuar Bullgarinë se po krjion në precedent të rrezikshëm, tha se shkak ishte bërë prania e saj në avion. Në një sqarim Ministria e Jashtme bullgare tha se leja i ishte dhënë vetëm Lavrovit dhe jo anëtarëve të tjerë të delegacionit që janë të sanksionuar nga ligji i BE-së, për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës.
Të mërkurën në mbrëmje, Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken mori pjesë në darkën e organizuar nga ministri i Jashtëm maqedonas Bujar Osmani, por u largua përpara mbërritjes së kryediplomatit rus Lavrov, duke shmangur një takim me të. Takimi vjetor i OSBE-së mbledh së bashku Ministrat e Jashtëm nga 57 shtetet anëtare për të vlerësuar çështjet e sigurisë.