Samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet tek Piramida, nisin punimet
Tek godina e rikualifikuar e Piramidës së Tiranës do të mbahet të hënën në 16 tetor Samiti i udhëheqësve të Ballkanit dhe Bashkimit Evropian.
Punimet përgatitore janë drejt fundit dhe godina gjysëmshekullore do të jetë zemra e Bashkimit Evropian për disa orë këtë mes tetori.
Olaf Sholz (Scholz) dhe Presidenti Makron ( Emmanuel Macron) do të rikthehen në kryeqytetin e shqiptarëve duke shënuar kështu krijimin e një marrëdhënieje solide mes Tiranës dhe Brukselit.
Agjenda e punimeve të Samitit është drejt fundit, megjithatë RTSH ka mësuar se punimet do të nisin rreth mesditës së të hënës, pasi Kryeministri Edi Rama t’u uroje mirëseardhjen udhëheqësve të Ballkanit dhe Bashkimit Evropian.
Samiti është i ndarë në dy seanca. Pjesa e parë do t’u kushtohet integrimit të rajonit në një treg të vetëm duke përmirësuar bashkëpunimin me Bashkimin Evropian.
Seanca e dytë e punimeve do t’i kushtohet tranzicionit digjital dhe të blertë në Ballkan.
E hëna do të jetë dita e inagurimit zyrtar te Piramidës dhe të Kolegjit të Europës, pasi udhëheqësit të kenë dakordësuar deklaratën e përbashkët me konkluzionet e Samitit dhe firmosjen e marrëveshjeve të rastit.
Samiti i 16 tetorit në Tiranë është i pari që mbahet jashtë kufijve të Gjermanisë si vendi inisiator i këtij procesi politik dhe ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor.