Samiti i Procesit të Brdo-Brijunit, Begaj: BE të jetë më proaktive në adresimin e sfidave të Ballkanit

Presidenti i Republikës Bajram Begaj mori pjesë në Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit, që këtë vit u mbajt në qytetin malazez të Tivatit.

Në fokus të këtij samiti ishte forcimi i stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian të vendeve të Evropës Juglindore, mbajtja e të rinjve përmes mundësive më të mira, si edhe përshtatja me qëllimet e Planit të Gjelbër Evropian.

Kreu i Shtetit konfirmoi qëndrimin se Shqipëria mbetet e palëkundur në angazhimin e saj për stabilitetin rajonal dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe se perspektiva e integrimit evropian mbetet në thelb të përpjekjeve tona.

“Bashkimi Evropian duhet të jetë proaktiv në adresimin e nevojave dhe sfidave specifike të Ballkanit Perëndimor”, – vlerësoi Presidenti i Republikës në Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit, duke thekuar se kjo përfshin përshpejtimin e projekteve infrastrukturore që lidhin rajonin më ngushtë me pjesën tjetër të Evropës, përmirësimin e marrëdhënieve tregtare dhe integrimin e ekonomive rajonale në tregun më të gjerë të BE-së.

Ndërsa theksoi rëndësinë e konferencës së dytë ndërqeveritare Shqipëri-BE, që do të mbahet më 15 tetor për kapitullin e parë të negociatave të anëtarësimit, Presidenti Begaj e vlerësoi atë si një sinjal inkurajues edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu, Presidenti i Republikës u shpreh se e ardhmja e rajonit tonë është e lidhur ngushtë me të ardhmen e brezave të rinj dhe se sfidat e kohës kërkojnë përpjekje të përbashkëta për të trajtuar në mënyrë efektive çështjen “Brain Drain”.

Edhe për çështje të tjera që ishin në fokus të Samitit të Procesit Brdo-Brijunit, Presidenti i Shqipërisë konfirmoi angazhimin e vendit për agjendën e ndërlidhjes si një nga prioritetet më të larta, si edhe inkurajimin e ekonomive “të gjelbra”.

Krerët e shteteve pjesëmarrëse në këtë samit arritën në një konkluzion të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit dhe ecurinë e proceseve integruese të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian si rruga më premtuese dhe e pazëvendësueshme drejt një Evrope të plotë, të lirë dhe në paqe. Gjithashtu, u theksua rëndësia e veprimeve të guximshme për të siguruar stabilitetin afatgjatë dhe krijimi i kushteve për të rinjtë, që ata të mund të qëndrojnë në vendet e tyre.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.